Edhe mbi dy rrota mund të shëtisësh botën. Nuk ka asnjë vend të Shqipërisë që Devi nuk e ka eksploruar. Ndërsa në Ballkan I kanë mbetur pak vende pa vizituar. Për 13 ditë, dhe vetëm 80 euro buxhet Devi ia doli të vizitojë shumicën e vendeve të Ballkanit.
“Në gusht nis udhëtimi i Balkan Trip- java e parë ishte Sarandë – Greqi- 500 km- ka qenë eksperiencë shumë e bukur. Balkan Trip ishte Greqi, Mal i Zi, Kroaci dhe Maqedoni, 13 ditë pa ndërprerje, ndërsa pjesët e tjera të Shqipërisë i kam bërë për dy vite”, shprehet ai.
Devi na tregon se shpeshherë në Shqipëri e ngatërrojnë me turistët e huaj, ndaj ai ka zgjedhur që simbolin e shqiponjës dykrenore të pikturojë në biçikletën e tij.
“Përpara kam shqiponjën që të identifikohem që jam nga Shqipëria se shpesh me ngatërrojnë dhe shqiptarët”, shton Devi.
Të udhëtosh me biçikletë mund të ketë adrenalinën e vetë, por ka edhe vështirësi dhe rreziqe të shumta, që Devi i kujton si eksperienca të bukura.
“Në Maqedoni s’kam qenë në shumë vende veç rreth liqenit të Ohrit, kthimi ishte një super aventurë. Erdha nga Struga në Tiranë me biçikletë dhe ka qenë shkurt binte bore. Zgjati 9 orë. Në Kroaci, gjatë rrugës thoshin tabelat kujdes derra të egër, po tani ku do shkoj s’mund të flija në pyll por më në fund gjeta një stacion autobusi fjeta aty”, tregon ai.
Devi në udhëtimet e tij shoqërohet vetëm nga dyrrotaku, që për të është si një pjesëtar i familjes. Por, ai na tregon se në vendet që ka vizituar nuk është ndjerë kurrë vetëm pasi ka gjetur mikpritje të ngrohtë nga pothuajse çdo shtet.
“Në Greqi jo vetëm nga vendasit por edhe nga turistët e tjerë edhe shoferët nga makinat më motivonin. Në Mal të Zi pak më të ftohtë karshi shqiptareve. Në Shqipëri gjen kudo mikpritje”, thotë më tej Devi.
Pas Ballkanit, Devi ka një tjetër aventurë në mendje. “Përtej Ballkanit është Evropa se di sa do e realizoj, planin e kisha bërë të shkoja edhe në Norvegjinë e largët, por do më kushtonte shumë kohë dhe do më duhej të lija punën”, përfundon Devi.