English

Eksperti i turizmit: Tërmeti shkaktoi një dëm të madh moral për Shqipërinë, duhet reagim

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

75.5 milionë euro janë humbjet e përgjithshme në turizëm pas tërmetit të 26 nëntorit. Në këtë përfundim ka arritur Raporti i Vlerësimit të Nevojave pas Katastrofës, i paraqitur dhe përgatitur nga qeveria dhe ekspertet e Komisionit Evropian, Bankës Botërore dhe sistemit të organizatave të Kombeve të Bashkuara.

- Advertisement -

Raporti i klasifikon dëmet në turizëm, si humbje prej mbylljes së pjesshme të biznesit (për shkak të dëmtimit, deri në riparim dhe rikthim të plotë në funksionim); humbje në punësim; humbje për shkak të rënies së vizitorëve; dhe kostot për heqjen e inerteve të shkatërrimeve

Turizmi është industria numër një e vendit dhe për vitin 2019 kontribuoi me rreth 2 miliardë euro në prodhimin kombëtar. Zonat e prekura janë të lidhura kryesisht me turizmin bregdetar dhe kulturor. Të 11 bashkitë e dëmtuara kanë 117 hoteleve të regjistruara, por vetëm 18 prej totalit u dëmtuan nga tërmeti dhe që të gjitha ndodhen në Durrës.

Eksperti i turizmit dhe njëherësh anëtari i bordit në Shoqatën e Operatorëve Turistikë, z. Besnik Vathi ka folur për pasojat që ka shkaktuar tërmeti i 26 nëntorit të 2019 në sektorin e hoteleri-turizmit. I ftuar në emisionin “Euronews Now” në Euronews Albania, z. Vathi pohoi se tërmeti krahas dëmeve materiale ka shkaktuar edhe një dëm të thellë moral, i cili pritet të frenojë ecurinë pozitive të këtij sektori.

 “Me sa kuptoj unë nga shifrat e dhëna janë kryesisht dëmet fizike të regjistruara dhe dëmet fizike natyrshëm mund të kenë përfshirë ato hotele të dëmtuara. Unë mendoj se është lënë përjashta përllogaritjes dëmi moral që sjell pasoja ekonomike në të ardhmen. Kur them dëmi moral, është dëmi që i është shkaktuar imazhit të Shqipërisë për pritjen e turistëve të huaj në plazhe. Dëmi moral është një koncept që është pamundur të bësh llogaritje, pasi kërkon analizë dhe studime të thelluara për të parë se çfarë pasojash ka. Duke bërë një analizë, kjo mund të sjellë pasojë jo vetëm në uljen e prenotimeve, mund të sjellë pasoja në vendimmarrjen e atyre që donin të vinin operatorë në Shqipëri”-tha z. Vathi.

Gjithashtu eksperti i turizmit tha se që tani kanë nisur anulimet e operatorëve turistikë në zonat pushuese të Shqipërisë. Ai shtoi se këto anulime  nuk janë bërë thjesht për shkak të tërmetit, por edhe për arsye të biznesit të tyre. Më tej, z. Vathi kritikoi strukturat shtetërore, që sipas tij nuk po veprojnë siç duhet për të minimizuar dëmin moral.

“Unë mendoj se do të këtë ulje të numrit  turistëve në ato zona. Ne kemi pasur anulimet tona. Dy apo tre operatorë të tjerë  dihet dhe na kanë  thënë që kanë edhe ata anulimet e tyre. Këto anulime mund të jenë mund të jenë për arsye të tërmeti, por mund të jenë edhe arsye të tyre të biznesit të tyre. Ne shikojmë se është bërë një pasqyrë e dëmit, por nuk shohim masa reale që duhet të fillonin menjëherë.

Masa e parë, më kryesore për pastrimin rregullimin, mund të jetë marrë, por për dëmin moral janë ato masat e tjera që duhet të kishte.Për shembull, certifikimi antisizmik të hoteleve. Ne si shoqatë kemi kërkuar që të bëhet një certifikim  ndërkombëtar për mbrojtjen sizmike të hoteleve për arsyen se bëhet fjalë për klientelën e huaj dhe do ishte më i besueshëm me një certifikim  ndërkombëtar. Me dijeninë tonë nuk ka filluar dhe as nuk është menduar për të marrë këtë masë, bëhet fjalë për të krijuar një besueshmëri për të ardhmen. Ky është problemi më madhor që nuk është kapur dhe do duhej të merrej për të përmirësuar të ardhmen”-theksoi ai.

Durrësi përben destinacionin kryesor për turistët me paketa udhëtimesh. 65 për qind e njësive pritëse për turistët në Durrës janë apartamente, vila dhe dhoma të privatëve, shumica informale. Ende nuk dihet sa nga këto njësi janë dëmtuar. Qeveria dhe Raporti i Vlerësimit kanë planifikuar një shumë prej 10.8 milionë euro për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e turizmit, ku nevojat për rindërtim janë 5.6 milionë euro dhe nevojat për rimëkëmbje janë 5.3 milionë euro.

Sipas të dhënave të publikuara pak ditë më parë nga grupet përkatëse, fatura e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit arrin në shumën e 985 milionë eurove, kurse nevoja reale për rimëkëmbjen e të gjithë sektorëve të dëmtuar është përllogaritur në shifrën e 1,07 miliardë eurove.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?