Hekurudhat shqiptare dikur transportonin deri në 11 milionë pasagjerë në vit, ndërsa vitin e fundit, me tren udhëtuan vetëm 60 mijë shqiptarë. Në ditët e sotme fuqia e hekurudhës ka rënë ndjeshëm, por shpresat janë që sërish ky sektor do të rifitojë rëndësinë e dikurshme.
Çdo ditë Ruhi Drizi, hipën në kabinën e një treni dhe nis punën. Prej 41 vitesh ai kryen të njëjtin ritual. Ky makinist i vjetër, ka parë me sytë e tij gjithë lavdinë e dikurshme të hekurudhave shqiptare, kur me trena udhëtonin deri në 11 milionë pasagjerë në vit.
“Unë kam 41 vjet që punoj në këtë profesion. Kam punuar gjithë jetën më përkushtim. Vazhdoj të punoj akoma, sepse e kam pasion dhe do ta vazhdoj deri sa të dal në pension. Kam edhe nostalgji, sepse puna kishte më shumë volum, ishim më të përkushtuar dhe kishte edhe siguri më të madhe”-tha ai.
I njëjti makinist është dëshmitar edhe i kohëve “moderne”, kohët kur Shqipëria u shndërrua në ndoshta të vetmin vend në Europë pa një rrjet hekurudhor funksional, e kur numri i pasagjerëve mezi arrin 60 mijë në vit.
“Mbas viteve ‘90 transporti hekurudhor pësoi rënie të jashtëzakonshme të nivelit të aktivitetit të tij. Pati si pasojë uljen e transporti të mallrave dhe të udhëtarëve. Pasa viteve ‘90, pati një dispropocion të theksuar të investimeve në hekurudhë kundrejt transportit rrugor. Në sektorin hekurudhor investimet kanë qenë pothuajse inekzistente”, tha Leonard Jani, këshilltar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës.
Por, befasues mbetet fakti se në tren gjetëm edhe punonjës të brezit të ri.
“Në vitin 2018 pranë hekurudhës shqiptare është krijuar një strukturë me urdhër të administratorit të shoqërisë për hapjen e kurseve për personelin ndihmës makinist, që duke parë që gjithë kjo prurje, që del në pension do të këtë një zëvendësim, do të këtë një brez që do ta zëvendësojë. Duke menduar që e nesërmja do të jetë më e mirë. Kemi djem nga shkolla profesionale që na janë ofruar. Ne kemi marrë rreth 28 djem të rinj, që janë pjesë e hekurudhës shqiptare sot”, u shpreh zëvendës drejtuesi i Drejtorisë së Mallrave, Ramiz Doçi.
“Mu afrua një vend punë. Mbarova edhe kursin gjashtë mujor. Them se mund të vazhdoj gjatë”, theksoi ndihmës makinisti i ri, Eraldo Spanjolli.
Projekti i ri i hekurudhës shqiptare, do të jetë një përpjekje për t’u rikthyer aty ku u ndërpre gjithçka në vitet 90. Linja Tiranë-Durrës premtohet të modernizohet dhe më në fund qytetarët të njohin edhe një herë magjinë e udhëtimit me tren.