QUINT dhe BE kritikojnë Kosovën për refuzimin e vizitës të patriarkut serb

14 Maj 2024 | 13:50

Ambasadat e Shteteve të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Kosovën për refuzimin e kërkesës për vizitë të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, dhe të disa priftërinjve të tjerë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës më 13 maj arsyetoi vendimin për refuzimin e kërkesës për qëndrim në Kosovë të patriarkut serb. MPJD tha se vizita të tilla nuk do të lejohen derisa “Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes”.

Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi më 14 maj se është Kosova që ka shkelur Marrëveshjen për vizita zyrtare, të arritur në dialogun për normalizimin e raporteve, pasi sipas tij, vizita e Porfirijes ishte paralajmëruar te autoritetet e Kosovës, ashtu siç kërkohet me marrëveshje.

“Duke ia refuzuar hyrjen atij, Qeveria e Kosovës jo vetëm që e ka shkelur Marrëveshjen e vitit 2014 për vizita zyrtare, por në mënyrë të ashpër e ka injoruar edhe rëndësinë që ka Kisha Ortodokse Serbe për një pjesë të qytetarëve të Kosovës dhe kjo shkon kundër parimeve themelore të një shoqërie shumetnike, tolerante dhe demokratike”, tha Stano.

Ndërkaq, përmes një deklarate të përbashkët, ambasadat e shteteve të QUINT-it, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shteteve e Bashkuara dhe Zyra e BE-së në Kosovë shprehën shqetësim për refuzimin e vizitës së Porfirijes.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me nenet e Planit të Ahtisaarit, ku përcaktohen qartë të drejtat, privilegjet dhe imuniteti për klerin e Kishës Ortodokse Serbe dhe po ashtu nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës që dalin nga dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja”, u tha në reagim.

QUINT tha se pret që Qeveria e Kosovës të përmbushë standardet më të larta të të drejtave të njeriut, si në kornizën e saj ligjore, por po ashtue dhe përmes veprimeve të saj.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas debatit publik lidhur me qëndrimet e partisë për proceset politike që pritet të zhvillohen...
17:55 | 24/06/2026

Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje, si...
16:22 | 24/06/2026

Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn...
12:43 | 24/06/2026