“Krimi në familje është shtuar, numri i rasteve është shtuar dhe me keqardhje them se prirja është e frikshme,” me këto fjalë komentoi në studion e Euronews Albania sociologu dhe pedagogu në Universitetin e Tiranës, z. Zyhdi Dervishi rastet e dhunës dhe krimeve në familje.
Sipas z. Dervishi arsyet që çojnë në fenomenin shqetësues janë nga më të ndryshmet.
“Unë mendoj se shoqëria shqiptare ka detyrimin madhor që të gjejë rrugët e përshtatshme për të kufizuar, mundësisht për të eliminuar fare krimin në familje dhe në shoqëri,” u shpreh sociologu.
Ai tha se përvojat e vendeve të tjera, kombinuar me ato të shoqërisë shqiptare tradicionale dhe të kohërave moderne duhen vënë në funksion “me qëllim që të kufizojmë këto plagë të mëdha”.
Pedagogu Dervishi tha se ndikimi i krimeve të tilla shtrihet përtej familjeve ku ato ndodhin dhe se kjo shkakton tension dhe vuajtje edhe më gjerë në marrëdhëniet farefisnore.
“Krimi në familje në kushtet kur në shoqërinë shqiptare sistemi i lidhjeve miqësore, fisnore është i forte, reflektohet shumë më gjerë se sa vrasja e një personi,” shtoi ai.
Sociologu veçoi moszbatimin e urdhrave të mbrojtjes si një problem shumë madhor.
“Ka filluar prej kohësh të jepet masa mbrojtje ligjore për gratë që dhunohen nga bashkëshorti. Në fakt, nuk jam kundër kësaj mase por është krejt e pamjaftueshme sepse në qoftë se banojnë në një banesë bashkëshorti dhunues dhe gruaja, praktikisht ajo është një copë letër që nuk ka asnjë vlerë,” tha z. Dervishi.
“Ne kemi shumë gra të divorcuara që kanë mbetur me fëmijët dhe bashkia u jep bonus qeraje. Nuk jam kundër por është e pamjaftueshme. Për mua është e domosdoshme të krijohet një sektor publik ku të punësohen gratë që kanë probleme të kësaj natyre,” vazhdoi eksperti.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga sociologu lidhet me faktin që autorët e krimeve të dhunshme dhe vrasjeve, dalin para kohe nga vendet e vuajtjes së dënimit.
“Për mua, në një farë mënyre ka një amoralitet. Shteti bëhet pronar i gjakut të nënshtetasve të vet. Në çdo rast mendoj unë, kur bëhet amnisti për njerëzit që kanë kryer vrasje, duhet marrë miratimi edhe i të afërmve të viktimës dhe po nuk dhanë miratim të afërmit e viktimës, të mos bëhet asnjë lloj amnistie,” deklaroi Dervishi.
Dhuna në familje dhe rastet e vrasjeve mes bashkëshortëve mbeten një problem madhor për shoqërinë shqiptare.
Gjatë vitit 2019, 12 gra ishin viktima të krimit në familje, ndërsa 3200 të tjera kërkuan urdhër mbrojtje nga gjykata.
Sipas sociologut është normale që gratë të hezitojnë të denoncojnë dhunën pasi atyre nuk u krijohen mundësitë e nevojshme për të marrë mbrojtje apo për t’u larguar nga agresori.
“Nëse burri dhunues denoncohet, bëhet më agresiv në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk bëhet më frikacak. Këta janë njerëz të stresuar, janë alkoolistë, janë njerëz që marrin lëndë narkotike, pra ka shumë probleme, shumë probleme dhe që të shuhet konflikti… nuk shuhet duke qëndruar pranë njerëzve të konfliktuar, por duke i larguar ata,” deklaroi Zyhdi Dervishi për Euronews Albania.
“Gratë që janë të dhunuara, që mund të dhunohen, që pritet të dhunohen, duhet patjetër të transferohen, të largohen nga zona ku mund të dhunohen. Nuk ka zgjidhje tjetër. Kjo është zgjidhja radikale më e mirë dhe kështu ne mund të shpëtojmë jetë njerëzish sepse na ndodh dhe kjo gjëja, vritet nëna, fëmijët ngelin rrugëve, babai në burg. Fëmijët ngelin rrugëve. Më të humbur dalin dhe fëmijët. Ata janë të shkatërruar psikologjikisht sepse atyre nëna u është vrarë ndërsa babai është një vrasës, do trajtohet si vrasës dhe në sytë e fëmijëve ashtu mbeten dhe opinioni i shikon me një paragjykim,” përfundoi ai.