English

T’ia dalësh në Shqipëri, gratë dhe vajzat ndajnë eksperiencat e tyre të suksesit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Fuqizimi i vajzave dhe grave në Shqipëri ishte kryefjala e një takimi që bëri bashkë në Tiranë gra të cilat ndanë eksperiencat e tyre drejt suksesit dhe arritjeve në fushën akademike, atë të biznesit, si dhe në kontributin e tyre në shoqëri.

- Advertisement -

“Fuqizimi natyrisht është një proces, por edhe një rezultat në fund. Ne këtu interesohemi më shumë për procesin, ndaj themi se duhet ta mbështesim dhe frymëzojmë njëra-tjetrën. Ato mundësi që disa prej nesh i kanë pasur tani është momenti që t’ia ofrojnë edhe të tjerëve, sidomos vajzave më të reja, të cilat kanë më pak mundësi apo hapësira dhe akses,” tha Blerjana Bino themeluese e organizatës Shkenca dhe Inovacioni për Zhvillim, Scidev, fokusuar në zhvillimin social të Shqipërisë.

Nisma “Ne Gratë” e SCIDEV dhe KS Factor së bashku me organizimin e drejtoreshës së Erasmus + në Shqipëri, Erida Curraj synon të krijojë një platformë bashkëbisedimi për frymëzimin, mbështetjen, lidhjen dhe fuqizimin e vajzave dhe grave.

Tetë folëset, nën moderimin e Znj. Orkidea Xhaferaj morën me radhë fjalën për të ndarë historitë e tyre. Për to suksesi nuk duhet të njohë vetminë, pasi duhet ndarë gjithmonë për të frymëzuar edhe të tjerët të arrijnë më të mirën nga vetja.

Liljana Breshani, një aktiviste e njohur për të drejtat e kafshëve dhe themeluese e shoqatës “Protect me“ tregoi rrugëtimin e saj, por edhe sfidat për të ofruar një mundësi për kafshët e rrugës që të jetojnë me dinjitet dhe larg kërcënimit të vrasjes nga institucionet shtetërore.

Liljana thotë se pas shpëtimit të qenit të parë, instinkti që i ishte ushqyer natyrshëm nga dy prindërit biologë iu forcua edhe më tepër dhe mori formën e një organizimi për të mbrojtur kafshët në qytetin bregdetar të Vlorës. Megjithatë ndryshime të tilla nuk vijnë pa zhgënjime.

“Pasi shpëtova qenin e parë, filluam të grumbullonim kafshë të tjera dhe pamë që po na vinin dhe vajza, djem, gra, burra që i donin kafshët. I mblidhnim, por na i helmuan ata brenda banesës ku i mbanim. U dekurajova shumë, vendosa të mos merrem më, por ishte vajza ime ajo që nguli këmbë dhe tha se do ta vazhdojmë dhe do të krijojmë një organizatë,” tregon Liljana.

Falë nismës së familjes së saj, qindra qen dhe mace të braktisura në Vlorë kanë arritur të marrin shërbime veterinare, si dhe të sterilizohen.

“Kafshët kanë të drejta, ata janë pjesë e jona. Kultura dhe përparimi i një vendi shfaqet në mënyrën si trajtohen kafshët. Pse ata janë në rrugë? Edhe prej fajit tonë dhe mungesës së politikës së trajtimit të tyre në mënyrë humane,” thotë aktivistja e kafshëve.

“Duke dashur kafshët, ti do automatikisht edhe njerëzit,” mbylli fjalën e saj Liljana.

Keti Sula, themeluesja e KS Factor, e cila ka një karrierë të gjatë në fushën akademike ndau me të pranishmit frymëzimin e saj për të ndërvepruar dhe fuqizuar të tjerët të mësojnë rregullat gramatikore të gjuhës shqipe përmes argëtimit.

“Misioni im filloi që në vitin 1989 kur nisa të studioja letërsi,” merr fjalën e saj profesorja e letërsisë dhe gjuhës shqipe, Keti Sula.

Znj. Sula ndau me pjesëmarrësit idenë e saj për të hapur në rrjetet sociale një faqe që do ta vinte theksin te përdorimi i saktë i gjuhës dhe gramatikës shqipe.

Sipas saj metodologjia që ajo ka zgjedhur lidhet me mësimin duke u argëtuar përmes animacioneve, videove, lojërave që njerëzit të mësojnë në mënyrë të nënvetëdijshme, pa e kuptuar.

Ajo e ka çuar më tej nismën e saj duke shpërndarë çmime për institucionet dhe figurat publike që shkruajnë sipas rregullave gjuhën shqipe.

Për të, ky ndërveprim ka qenë shumë pozitiv për ata që luajnë dhe mësojnë gjuhën shqipe, por edhe për atë vetë që ka njohur dhe është habitur nga personat që ndajnë të njëjtat interesa me të.

Keti Sula shprehet e vendosur ta çojë përpara nismën e saj për të shpërndarë frymëzim dhe leksione të dobishme tek kushdo.

Sipërmarrësja Gerta Xheka, e cila është pjesë e një biznesi familjar mobiliesh me shtrirje në Shqipëri dhe më gjerë, është e bindur se çelësi i suksesit lidhet me gratë.

Xheka është entuziaste të tregojë se ajo e ka mësuar menaxhimin nga një tjetër grua dhe thotë se beson fuqishëm që kompania e saj ka si shtyllë kurrizore të ëmën që e menaxhon, por edhe stafit që përbëhet afërsisht nga 70 për qind gra.

Znj. Xheka është po ashtu e vendosur të çojë përpara pjesëmarrjen në biznes të grave dhe fuqizimin e rolit të tyre në drejtimin e tyre.

Dr. Vera Bushati, arkitektja dhe pedagogia e njohur ishte gjithashtu një nga folëset e nismës që bëri bashkë disa nga gratë e suksesshme të vend. Ajo theksoi rëndësinë që kanë pasur gratë në fushën e arkitekturës në Shqipëri.

“Kreativiteti është ajo që na bën të zgjedhim mënyrën si duam të jetojmë“, thotë Joana Dhiamandi, drejtuese e një biznesi të punimit të qelqit, e cila prezantoi disa nga punimet artistike si dhe rrugën e saj si grua drejt përsosjes së veprimtarisë së saj personale dhe shoqërore.

Në bashkëbisedim u rrok gjithashtu tema e grave në vendimmarrje, sidomos atyre në moshë të re. Pjesëmarrëset e takimit nxitën për politika që do të shtonin më shumë numrin dhe peshën e grave në marrjen e vendimeve që ndikojnë në shoqëri.

”Sipas të dhënave të 1 janarit 2020 të INSTAT ne kemi 12% të popullësisë vajza të reja të moshës 15 deri në 29 vjeç, por numri i grave në vendimmarrje mbetet i ulët”, shprehet Lutjona Lula, përfaqësuese e ESN Albania. 

 Alessandra Bertini Malgarini, Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës zgjodhi që në fjalën e saj të shprehë mirënjohjen për atë që gratë kanë arritur deri më tani duke theksuar se brez pas brezi gratë po fitojnë më shumë të drejta falë përpjekjeve të vazhdueshme të çdo gjenerate.

Roli i gruas në shoqërinë shqiptare, që njihet për nota patriarkaliteti duket se po pëson përmirësim të vazhdueshëm, pasi të dhënat tregojnë se më shumë vajza dhe gra po arsimohen dhe po përfshihen në tregun e punës se dekadat e mëparshme që nga rrëzimi i regjimit diktatorial.

Megjithatë rastet e vazhdueshme të fenomenit gjakatar të dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje, kanë shtuar ndjeshëm shqetësimin se vendi ka mbetur shumë mbrapa në ofrimin e kushteve të përshtatshme që gratë të kenë barazi de fakto në jetën e përditshme.

Dhjetëra gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre vitet e fundit, pavarësisht se një pjesë e tyre gëzonin urdhra mbrojtjeje. Fenomeni ka shtuar zërat nga shoqëria civile për rritje të masave nga ana e institucioneve shtetërore për të mbrojtur gratë nga abuzimi në familje dhe për të siguruar gjithëpërfshirjen e tyre në shoqëri.

Më 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Grave, qytetarë, aktivistë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë lajmëruar mbajtjen e një tubimi për të kërkuar respektimin strikt të të drejtave të grave dhe rritjen e spektrit të përfshirjes së grave në jetën publike.

Kjo paraqet një ndryshim të kursit të ndërgjegjësimit, duke marrë parasysh se deri afërsisht 4 vite më parë, 8 Marsi konsiderohej një ditë feste dhe ngjallte pak reagim për të kërkuar më tepër barazi.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?