“Udhëtarët” në Tepelenën e këngëve dhe maleve të egra
E njohur për kalanë e Ali Pashë Tepelenës, për larminë e traditave, këngëve, valleve e kostumeve, Tepelena ka shumë për t’u ofruar vizitorëve, nga fshatrat me një natyrë të mrekullueshme e deri te monumentet historike, gjë që e treguan edhe Loneta Progni me Renaldo Salianjin në episodin e radhës të “Udhëtarëve”.
Ndalesa e parë është në qytetin e Tepelenës, ku njësoj si Mallakastra shquhet për grupet e talentuara që këndojnë muzikën polifonike, të përbëra nga marrësi, kthyesi, hedhësi dhe iso.
Por e veçanta e grupit polifonik “Bijtë e Tepelenës” është se ka pjesë të tij prej 40 vitesh Luanin dhe Teftën, të cilët janë burrë e grua.
Tepelena njihet për natyrën e mrekullueshme që ka dhe Gllava, fshati i fundit në qarkun e Tepelenës të dhuron këtë natyrë. Sot në të gjenden vetëm 30 familje që merren me blegtori, pasi pjesa më e madhe e banorëve janë larguar.
Renaldo eksploron Majën e Çukës në Gllavë në lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit dhe prej aty duket pjesa më e madhe e jugut. Prej kësaj maje duket Ishulli i Sazanit, mali i Shpiragut, malin i Tomorrit dhe mali i Ostrovicës, që ndodhet në Maliq. Aty do të gjeni edhe bimën e sherebelës të egër, e njohur për përfitimet që ka për shëndetin.
Rreth një orë e gjysmë nga Tepelena ndodhet Nivica, por rruga për në këtë fshat të vogël të bekuar nga natyra është e mbushur me atraksione të tjera natyrore.
Mes tyre gjendet e fshehur edhe Ujëvara e Peshturës. Ajo ndodhet në Progonat të Tepelenës e për shkuar atje duhet të kaloni përmes malësive të Tepelenës nëpër rrugë të mirëmbajtura dhe do të zbuloni panorama gjeografike që habisin. Ujëvara është 25 metra e lartë dhe krijon dy vaska me ujë.
Fshati Nivicë është ndalesa e fundit e “Udhëtarëve” me një qendër të rikonstruktuar para katër vitesh. Në të do të gjeni mikpritjen e banorëve dhe bukurinë që ofrojnë kanionet.
Rrënojat e kalasë së Nivicës ndodhen majë një shkëmbi të thepisur, rrethuar nga humnera, me thellësi 200-400 metra. Shtëpia muze që ndodhet në të ka shërbyer si shkollë dhe si shtëpi banimi gjatë periudhës së luftës.
Pak më tutje ndodhen dhe kanionet e Nivicës, të cilat në pika të caktuara arrijnë 200 metra thellësi, por gjatë verës në to ka shumë pak ujë. Në to gjenden dy ujëvara dhe “shpella me qiell” siç e quajnë banorët, në formën e një ure të stërmadhe me bimësi të veçantë në të.
Kanioni ka disa degëzime, njëri është ai në Nivicë, duke vazhduar me degëzimin në fshatin Rexhinë dhe Gusmar dhe pastaj është degëzimi tjetër i fshatit Prognat dhe Lekdushk. Të gjitha këto degëzime bëhen bashkë e zbresin në Bënç të Tepelenës.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Udhëtarët” në Gjirokastrën e kalldrëmeve plot histori dhe talent
- Të veçantat e rrethinave të Shkodrës
- Rrugëtim për në Vermosh skajin më verior të Shqipërisë
- Puka, qyteti i vogël që ofron plot surpriza
- Fushë-Arrëzi, vendi i mikpritjes dhe traditave për “Udhëtarët”
- Lezha e “Besëlidhjes” t’i ofron të gjitha, plazhin, historinë dhe traditën
Liqeni i Lepurit në Tiranë, thesar i fshehur natyror mes maleve
Si u zbulua në Leskovik liqeni termal nëntokësor më i madh në botë
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta