Besimi në ekonomi po rritet. Sipas Bankës Shqipërisë, në muajin prill ai arriti nivelin 113.8 pikë nga 100 që është kufiri matës mes optimizmit dhe pesimizmit që shfaqin bizneset dhe qytetarët. Në raport me muajin mars treguesi i ndjesisë ekonomike është rritur me 6.6 pikë.
Sektorët e biznesit të industrisë, shërbimeve, tregtisë dhe konsumatorët i dhanë hov optimizmit në pyetësorin që kryen Banka Qendrore, ndërsa sektori i ndërtimit regjistroi rënie të lehtë.
Në industri, vlerësimet lidhen me prodhimin aktual, kontratat porositëse dhe pritshmëritë pozitive për punësimin.
Në biznesin e shërbimeve, ecuria e tanishme e aktivitetit dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rritje. Pritjet e bizneseve për punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë gjithashtu me rritje.
Edhe në tregti optimizmi ndikohet nga ecuria e biznesit, ndërsa qytetarët janë besimplotë për përmirësimin e situatës e përgjithshme ekonomike, nisur nga situata financiare dhe blerjet në shuma të mëdha.
Ndryshe nga të tjerët, ndërtimi nuk ka të njëjtën pritshmëri, dhe për këtë vlerëson nivelin e ulët të porosive aktuale.
LEXONI GJITHASHTU:
- Borxhi publik do ulet/ BB: Do arrijë në 58% të PBB këtë vit, ekonomia e qëndrueshme
- Kandidatët për president me qasje të ndryshme ndaj ekonomisë