Ilva Now

Olsian Çela: Reforma në drejtësi unikale, ka decentralizuar Prokurorinë

Përditësimi i fundit: 28/09/2020 - 20:29
Text size Aa Aa

I ftuar në Ilva Now Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela tregoi se çfarë ka ndryshuar nga prokuroria e shkuar përpara reformës në drejtësi me atë që ka rreth 9 muaj që ka nisur punën.

Teksa theksoi se reforma në drejtësi “ka nevojë të kolaudohet” ai e konisderoi atë "unikale" pasi ka mundësuar “decentralizimin” e Prokurorisë së Përgjithshme pa linjë komandimi “nga lartë poshtë” dhe që “bazohet tërësisht mbi pavarësinë e prokurorit në hetimet e çështjeve”.

Sipas Çelës me reformën në drejtësi tashmë hetimi i krimeve është ndarë në dy degë të mëdha, të cilat sipas tij mbetet në diskutim nëse do të hapë apo jo probleme në të ardhmen. Sidoqoftë ai u shpreh optimist se zgjidhja e ofruar do të jetë e suksesshme.

“Mjetet ligjore që prokurori ka për të ndërhyrë në sistem, janë udhëzimet e përgjithshme që rregullojnë marrëdhëniet brenda sistemit dhe mbikëqyrjen dhe kontrollin e policisë gjyqësore, këto elementë që prokurori i përgjithshëm mund t’i përdorur, përgjatë 9 muajve jemi munduar t’i maksimizojmë në mënyrë që të arrijmë të gjithë potencialin që sistemi premton,” – tha Çela duke këmbëngulur se është përmbysur piramida dhe hierarkia e pushtetit dhe kontrollit.

Pyetur se ku Prokuroria e Përgjithshme mund të puqet dhe bashkëpunojë me Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion, Çela tha se SPAK nuk është një gjetje e re. Ai kujtoi Prokurorinë e Krimeve të Rënda, krijuar në vitin 2004, në kuadër të një prokurorie të centralizuar. Çela e cilësoi si prokurorinë me performancën më të mirë në vitet e fundit.

“Me gjasa me këtë model u konceptua edhe SPAK-u, por ajo ka brenda edhe Byronë e Hetimit (BKH) dhe mënyra se si është ideuar është risi, në thelb është ndarja me dy njësi të mëdha të prokurorisë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe prokuroria e posaçme që operojnë të pavarura, ato lidhen në mënyrën proceduriale, ku përherë ajo prokurori që vendos përfundimisht është SPAK-u, por mos harrojmë se shumica e çështje hetohen nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm prej ku nga hetimi dalin plotë elementë nga korrupsioni deri te krimi i organizuar dhe më tej kjo u dërgohet SPAK-ut,” – u shpreh Çela duke theksuar se kompetencat janë të ndara dhe sfidë për momentin mbetet koordinimi.

Në intervistën për Ilva Now Çela mohoi të kishte pasur ndërhyrje gjatë 9 muajve që ai ka qenë deri më tani në detyrë, ndërkohë që tha se marrëdhëniet me SPAK-un kanë qenë të mira dhe se autoritetet, duke shtuar këtu edhe policinë, kanë nevojë për të vendosur synime dhe pika të përbashkëta për punën që do të bëjnë.

 

Lexoni gjithashtu:

A ka pasur presion mbi Prokurorin e Përgjithshëm? Olsian Çela përgjigjet në ‘Ilva Now’

Tregime të lidhura