Aktualitet

Meta kthen ligjin për portin e hidrokarbureve në Porto Romano: Shmang konkurrencën

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 12:20
Text size Aa Aa

Presidenti i Republikës, Ilir Meta riktheu për rishqyrtim në Parlament ligjin i cili i jepte të drejtë kompanive private që të përdornin portin e Porto-Romanos si vendgrumbullim dhe përpunim edhe të mallrave te tjerë përveç naftës. Në argumentimin e tij të gjatë, kreu i shtetit thekson se, procedura e ndjekur për këtë ligj ka anashkaluar procedura e konkurrimit siç e kërkon ligji.

Sipas Presidentit, në ligj thuhet se ndryshimi i kontratave mund të bëhet me kusht që kjo të parashikohet në tenderin fillestar të fituar nga kompania. Gjithashtu këto ndryshime nëse do të duhet të bëhen dhe kanë të bëjnë me thelbin e kontratës, atëherë nevojitet një procedure e re e dhënies së tenderit.

“Moszhvillimi i një procesi transparent shmang konkurrencën e lirë, rrit rrezikun e trajtimit preferencial dhe nuk garanton përfitime maksimale për financat e shtetit dhe interesin publik”, argumenton Meta.

Si mbështetje për ketë argument, Presidenti përdor edhe qëndrimin e mbajtur nga deputeti socialist Ditmir Bushati ne seancën e ditës se miratimit te ligjit, i cili nëpërmjet një fjalimi e kundërshtoi fort këtë ndryshim .

Së dyti, sipas Presidentit ky ligj është në kundërshtim me ligjin për koncesionet pasi nuk përmbush kriteret qe përcakton ai për ndryshimin e thelbit të kontratës. 

“Kjo është e pamundur të justifikohet pasi në vetë shtesën e kontratës saktësohet se objekti i saj shkon përtej objektit fillestar”, thuhet më tej.

Po ashtu, ky ligj sipas Metës bie ne kundërshtim me Kodin Detar të Shqipërisë që ia jep porteve këtë detyrë.

“Praktikisht krijon një port të ri. Shmang të gjitha rregullat për ofrimin e shërbimeve portuale, krijon paqartësi mbi regjimin e tarifave portuale”, thuhet në dekretin e Metës.

Presidenti i Republikës i bën thirrje deputetëve dhe qeverisë që të reflektojnë dhe të marrin parasysh këto shqetësime për të shmangur çdo konflikt në gjykatat vendase apo të arbitrazhit.

Argumentet e plota të Presidentit të Republikës i gjeni duke klikuar këtu

Lexoni gjithashtu:

Ditmir Bushati kundër koncesionit në Porto-Romano: Mos e votoni, ne duhet të ndahemi me oligarkinë

Jo vetëm naftë, kompania koncesionare kërkon shfrytëzimin maksimal të Porto Romanos

Pasi e ndotën me naftë, Porto Romano në Durrës do të kryejë një tjetër funksion

Ndotja në Porto Romano, eksperti i mjedisit: Pasojat do të jenë të rënda

Ilir Beqaj deklarohet kundër koncesionit të Porto Romanos