Maqedoni e Veriut

Gjashtë të vdekur dhe 102 raste të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Përditësimi i fundit: 28/07/2020 - 15:03
Text size Aa Aa

Në Maqedoninë e Veriut po vazhdon trendi shqetësues i numrave të lartë të personave të infektuar me COVID-19, por edhe i personave të vdekur, ndërsa autoritetet vendase sigurojnë që situata është nën kontroll.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 102 raste të reja dhe gjashtë të vdekur, duke çuar numrin total të të infektuarve në 10 315, ndërsa atë të të vdekurve në 471.

Por zëvendës ministri i shëndetësisë Armend Arsllani thotë se këto shifra janë normale dhe se ai druan për një valë të dytë të virusit në vjeshtë.

“Sipas ekspertëve parashikohet një valë e re e kombinuar, më specifike, pasi do kemi edhe gripin sezonal dhe ky do jetë një kompleksitet. Për këtë arsye gjithë përgatitja është që kjo valë të absorbohet më lehtë. Që gjithë sistemi shëndetësor të jetë në gatishmëri për këtë valë që mund të na vijë”, tha ai.

Zëvendës ministri i Shëndetësisë është i bindur se sistemi i Maqedonisë së Veriut ka kapacitete të mjaftueshme për të përballuar edhe një fluks të shtuar të personave që do të shtrohen në spital, pavarësisht se trendi dëshmon se shumica e të infektuarve e tejkalojnë sëmundjen në shtëpi, pa nevojë për ndihmë mjekësore.

“Ka rritje të rasteve aktive. Por në bazë të analizave numri i të hospitalizuarve është vetëm dhjetë për qind nga numri total i të infektuarve. Kjo do të thotë se në total në korrik kemi patur një detaj nga informacionet e marra ku përqindja e të shtruarve ka qenë 11,5 për qind ndërsa në 23 korrik ky numër është 9,7 për qind. Përafërsisht deri në 400 persona janë në spitale për të marrë trajtim”, shtoi ai.

Pavarësisht se u përfol mundësia për të karantinuar gjithë vendin për këtë fundjave kur pritet festa e Kurban Bajramit dhe është festa e Ilindenit, ministri i Shëndetësisë Venko Filipce ka deklaruar se vlerësimi i ekspertëve dhe komisionit për sëmundje ngjitëse është se “karantinimi ka dëshmuar efekt të kundërt duke rritur numrat e të prekurve”.