Sport

A do të shtyhen Lojërat Olimpike 2020 nga COVID-19?

Përditësimi i fundit: 23/03/2020 - 16:18
Text size Aa Aa

Pasi Australia dhe Kanadaja konfirmuan se nuk do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike që do të mbahen këtë viti në Tokio, në rast se ato nuk shtyhen deri në 2021, ndaj Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) është shtuar presioni për shtyrjen e lojërave në mënyrë që të shmanget përhapja e COVID-19.

Të dielën, kryeministri i Japonisë Shinzo Abe tha se shtyrja e Lojërave Olimpike ishte “e pashmangshme”. Por po në të njëjtën ditë, KON tha se “anulimi nuk është në agjendë” dhe u tha sportistëve se nuk do të shpallin një vendim zyrtar për katër javë.

Përhapja e shpejtë e coronavirusit në mbarë botën tashmë ka çuar në shtyrjen e kualifikatoreve, por lojërat ende priten të mbahen në Tokio nga data 24 korrik deri në 6 gusht.

Të dielën, KON tha përmes një deklarate se “për shkak të përmirësimeve të konsiderueshme në Japoni” dhe “me disa kufizime të caktuara sigurie”, Japonia mund të vazhdojë me mbajtjen e lojërave dhe në të njëjtën kohë “të mbrojë shëndetin e pjesëmarrësve”. 

Por teksa numri i rasteve shtohet nga dita në ditë, me mijëra të vdekur e miliona të tjerë në karantinë, rreziku i sjelljes së dhjetëra mijëra sportistëve, ekipeve dhe tifozëve në Tokio në vetëm tre muaj kohë, duket gjithmonë e më shumë si një sfidë e paarritshme.

Nga ana tjetër, KON ka argumentuar se logjistika e anulimit apo e shtyrjes së lojërave është po aq sfiduese.

“Situata në të cilën ndodhemi, me miliona rezervime hotelesh, është shumë e vështirë për t’u menaxhuar dhe do të duhej përshtatja e kalendarit sportiv ndërkombëtar për të paktën 33 sporte olimpike. Këto janë vetëm disa prej shumë e shumë vështirësive”, thuhej në deklaratë.

Coronavirusi ka sjellë anulime në mbarë botën, duke përfshirë edhe kampionatin e futbollit Euro 2020, Festivalin e Filmit Ndërkombëtar të Kanës dhe evente të tjera të shumta.

Tregime të lidhura