Ilva Now

Kryeministri Rama për Euronews Albania: Do të kompensojmë ditët e izolimit për të punësuarit

Përditësimi i fundit: 17/03/2020 - 19:51
Text size Aa Aa

Kryeministri, Edi Rama në një intervistë për Euronews Albania ka deklaruar se ende nuk e di se sa do të zgjasin masat kufizuese që janë marrë për coronavirusin. Z. Rama nga ana tjetër tha se numri i testeve po kryhen sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe aktualisht jemi në mesataren e vendeve të rajonit.

“Testimet po kryhen sipas rekomandimeve të OBSH-së. Zvicra që është një nga vendet më të pasura dhe që ka një nga sistemet më të mira shëndetësore në botë, ka vendosur të mos testojë nën 65 vjeç dhe testet t’i kryejë për ata që janë në situatë kritike. Jemi në mesataren e rajonit sa i takon testeve. Askush nuk e ndalon dot virusin, do të përhapet, do ta bëjë të veten siç thuhet në gjuhën popullore, por ne vetëm mund ta reduktojmë masën e përhapjes”, theksoi kreu i qeverisë.

Për masat financiare për të prekurit nga këto masa, Kryeministri theksoi se do të bëhet gjithçka, që atyre që nuk kanë shkuar në punë nga COVID-19, t’u kompensohet çdo ditë. Plani pritet të prezantohet nga qeveria këtë të enjte.

“Shqetësim tani është paga e atyre që janë në shtëpi, por duhet të kenë besim sepse po ndërtojmë instrumentin financiar për të kompensuar çdo ditë të humbur nga puna, jo për shkak të tyre, as kompanisë, as qeverisë por për shkak të luftës”, theksoi z. Rama gjatë intervistës.

I pyetur se çfarë mendimi ka për 8 pikat e propozuara nga Partia Demokratike për përballim e kësaj situate, kreu i mazhorancës tha se ato shkojnë përtej mundësive të buxhetit të Shqipërisë duke shtuar se, do të bëhet gjithçka por pa dëmtuar të nesërmen e vendit.

“Besoj se ne do t’i japim njerëzve një plan që do të jetë gjithçka që Shqipëria mund të bëjë. Ne jemi një rajon që është lagjja më e varfër e Evropës, shtëpia jonë ka shumë halle, por duhet të bëjmë gjithçka që të kalojmë këtë situatë të vështirë pa hedhur në erë themelet e shtëpisë. Do të vëmë në dispozicion një buxhet të konsiderueshëm”, u shpreh z. Rama.

Kryeministri nga ana tjetër nuk e përjashtoi mundësinë e mbajtje së një video-konference bashkë me Presidentin, Ilir Meta dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, por pa marrë iniciativë që kjo të ndodhte.

“Për mua nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë aspak e vështirë, por unë vendos vetëm për vete, nuk vendos dot për të tjerët”, tha ai gjatë intervistës.

Pikërisht një video-konferencë të tillë, kreu i qeverisë shqiptare pati me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula va nder Leyen, ku ka diskutuar për mos mbylljen e tregjeve të BE-së për vendet e rajonit.

“Kemi diskutuar që vendet e rajonit të mos privohen nga mundësia për të pasur akses në tregun evropian për medikamente mjekësore. Nuk jemi të penguar, por duhen autorizime të veçanta për të bërë importe për këto materiale”, u shpreh Kryeministri.

Për ndihmat e ofruara për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve për rindërtimin nga tërmeti i 26 nëntorit, z. Rama tha se, nuk do të ketë asnjë devijim të fondeve dhe se këto para pritet të mbërrijnë shumë shpejt.

Tregime të lidhura